Në kuadrin e Grupit Teknik të Punës, ku bëjnë pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Banka e Shqipërisë, janë zhvilluar 8 mbledhje, në të cilat janë trajtuar çështjet e poshtëshënuara:

• Bashkëpunimi në kuadrin e Programit Kombëtar për kontrollin e lëvizjes së monedhës cash në Republikën e Shqipërisë dhe reduktimit të përdorimit të parasë fizike.
• Bashkëpunimi me Policinë dhe Prokurorinë.
• Rritja e raportimeve nga ZQRP-të dhe Dhoma e Noterëve.
• Thellimi i bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SHISHin, edhe gjatë periudhës së hetimeve për rastet e dyshimta.
• Organizimi i inspektimeve të përbashkëta me Bankën e Shqipërisë;;
• Njohja e Institucioneve bashkëpunëtore me risitë që solli ligji i ri për PP/FT.
• Informacione të vazhdueshme mbi ecurinë e projektit të binjakëzimit me BKA.
• Rritja e shpejtësisë dhe saktësinë në shkëmbimin e informacionit.
• Mundësia e aksesimit nga DPP-ja në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe në regjistrat publikë.
• Hartimi i një strategjie kombëtare afatmesme dhe afatgjatë për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

•Takimet e shpeshta me përfaqësues të Sektorit të Pastrimit Parave në Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe atë Rajonale të Tiranës, kanë rezultuar mjaft frytdhënëse, duke patur parasysh faktin se një pjesë e madhe e rasteve të dërguara nga ne për investigime të mëtejshme janë finalizuar nga këto organe me referime pranë Prokurorisë. Në këto takime, shpesh herë edhe të përjavshme, janë diskutuar bashkërisht çështjet nën investigim, duke shkëmbyer përvojën, eliminuar burokracinë dhe duke krijuar tashmë një frymë të re bashkëpunimi.
•Bashkëpunimi me Njësinë e Përbashkët Hetimore (JIU) gjatë këtij viti ka qenë ndër më rezultativët, duke dhënë frytet e saj në rastet e shumta të referuara pranë kësaj njësie. Janë organizuar seminare trainimi të përbashkëta me përfaqësues të njësisë, DPP-së dhe OPDAT -it. DPP-ja ka ofruar bashkëpunimin e saj jo vetëm për JIU-n dhe Prokurorinë e Tiranës, por edhe për prokuroritë e rretheve, si Shkodër, Durrës, Gjirokastër.
•Një punë të konsiderueshme ka bërë DPP-ja në mbledhjen dhe analizimin e informacionit financiar, në përgjigje të kërkesave të ardhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve të ndryshme. Numri i këtyre kërkesave, siç tregon edhe grafiku më lart, gjatë vitit 2008 ka qenë 45. Ky bashkëpunim është ofruar në kohë të shpejtë e me profesionalizëm, fakt ky i konfirmuar edhe në mbledhjen e radhës së KBLKPP-së, nga Prokurorja e Përgjithshme.
•Po kështu, drejtuesi i Njësisë së Përbashkët Hetimore ka vlerësuar disa herë bashkëpunimin intensiv me DPP-në, fillimin e shumë rasteve të procedimeve penale mbi bazën e referimeve tona. Në këtë njësi të përbashkët hetimore, DPP-ja ka përfaqësuesin e saj, që luan rolin e koordinatorit dhe ndërlidhësit të posaçëm.
•Shkëmbimi reciprok i informacionit edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit ka ardhur në rritje sidomos në gjysmën e dytë të vitit, duke u shtrirë jo vetëm në çështjet e financimit të terrorizmit, por edhe në ato të pastrimit të parave. Ky bashkëpunim është reflektuar më së miri në korespondencën e vazhdueshme.Prioritet për DPP-në mbetet lufta kundër financimit të terrorizmit. Kjo është pasqyruar në monitorimin e vazhdueshëm të listave të zeza të përditësuara të Këshillit të Sigurimit të OKB- së, në sistemin bankar dhe subjektet e tjera të ligjit. Është bashkëpunuar me SHISH-in, për çështje të ndryshme lidhur me FT. Nga raportet e aktivitetit të dyshimtë të ardhura nga bankat e nivelit të dytë, janë referuar përkatësisht një rast pranë SHISH-it, për investigime të mëtejshme (individ i dyshuar si pjesë e listës së zezë), dhe një rast i dërguar pranë Policisë së Shtetit për një shtetas shqiptar që kërkonte të bënte transfertë në Pakistan në drejtim të një individi i dyshuar si terrorist.
•Me krijimin si një strukturë më vete, në varësi të Ministrisë së Financave, e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), është rritur bashkëpunimi mes dy institucioneve tona. Me urdhër të ministrit të Financave u krijua Grupi i Posaçëm për marrjen në dorëzim të aseteve të sekuestruara në zbatim të urdhërave të sekuestrimit të ministrit të Financave (që nga viti 2004). Gjatë vitit 2008 nisi punën Grupi Teknik i krijuar në kuadër të Komitetit Këshillimor, anëtare e të cilit është edhe DPP-ja. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka krijuar nje sektor të veçantë për çështjet e Pastrimit të Parave, e cila padyshim që do të forcojë dhe rrisë bashkëpunim, duke bërë të mundur edhe shtimin e raportimeve të RAD, nga kjo drejtori. Akt-marrëveshje janë hartuar dhe u janë dërguar institucioneve partnere si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për aksesimin e Drejtorisë sonë në bazën e të dhënave që disponojnë këto drejtori. Kjo ka qenë tema e shumë takimeve të zhvilluara dhe një nga detyrat e lëna edhe nga Kryeministri në mbledhjen e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave. Mbetet një nga prioritetet për vitin 2009.
Bashkëpunimi me DPT, nuk qenë në nivelet e duhura, raportimet e Aktivitetit të Dyshimtë janë shumë të pakta në numër, Njësia Qëndrore nuk ka funksionuar, personat e kontaktit janë ndryshuar vazhdimisht, duke krijuar vështirësi në bashkëpunimin midis dy institucioneve tona.
•Për herë të parë gjatë vitit 2008, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive ka dërguar pranë Drejtorisë sonë një raport të aktivitetit të dyshimtë. Informacioni i përmbajtur ka qenë i saktë dhe me elementë të mjaftueshëm dyshimi. Gjatë vitit kemi patur bashkëpunime të vazhdueshme me këtë institucion, si në kërkesat që u kemi drejtuar, ashtu edhe në përgjigjet e ardhura.