VËSHTRIM HISTORIK

Në Maj të vitit 2000, bazuar në rekomandimet e Komitetit MONEYVAL të Këshillit të Europës, Parlamenti Shqiptar miraton Ligjin nr. 8610 datë 17.05.2000 "Për parandalimin e pastrimit të parave" i cili parashikonte ndër të tjera krijimin e Njësisë së Inteligjencës Financiare(NjIF) Shqiptare.

Në muajin Gusht të vitit 2001, filloi punën në Ministrinë e Financave , Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër si NjIF në Republikën e Shqipërisë, e organizuar sipas modelit administrative përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritetet kompetente të informacionit në lidhje me pastrimin e produkteve të veprave penale apo financimit të terrorizmit.

Në kuadrin e përafrimit të vazhdueshëm të legjislacionit Shqipëtar me rekomandimet ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin nr. 9084 datë 19.06.2003 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8610, datë 17.05.2000 "Për parandalimin e pastrimit të parave"".

Një nga risitë e këtij ligji ishte krijimi i Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit të Parandalimit dhe Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP), nën kryesimin e Kryeministrit dhe me anëtarë Prokurorin e Përgjithshëm, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Rendit Publik, Ministrin e Financave, Ministrin e Drejtësisë dhe Kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror.Ky komitet përcakton drejtimet strategjike dhe politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në muajin Korrik të vitit 2003, Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave bëhet anëtar me të drejta të plota në grupin EGMONT të Njësive të Inteligjencës Financiare, gjë që përbën një arritje të rëndësishme në nivel ndërkombëtar.DPPPP vazhdon të jetë anëtar aktiv i Grupit EGMONT, i cili mundëson shkëmbimin e rregullt dhe të sigurtë të informacionit për Njësitë e Inteligjencës Financiare në nivel ndërkombëtar.

Në muajin Gusht të vitit 2005, Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ngrihet në nivelin e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave(DPPPP), në Ministrinë e Financave, masë kjo që siguronte rritjen e mëtejshme të nivelit të pavarësisë së saj operacionale në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF).

Bazuar në ndryshimet e rekomandimeve ndërkombëtare të FATF dhe përpjekjeve në nivel ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit, Kuvëndi i Shqipërisë miratoi në Korrik të vitit 2004, ligjin nr. 9258 "Për masat kundër financimit të terrorizmit", i cili përbënte një instrument të rëndësishëm ligjor në drejtim të përmbushjes nga ana e Republikës së Shqipërisë të detyrimeve që lindnin për zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. DPPPP luan një rol të rëndësishëm në mbledhjen dhe administrimin e informacionit në zbatim të këtij ligji dhe njëkohësisht në koordinimin e punës me institucionet shtetërore për identifikimin dhe administrimim e informacionit për personat e shpallur si terrorist apo financues të terrorizmit në nivel ndërkombëtar.

Në Mars të vitit 2006, DPPPP publikoi për herë të parë raportin vjetor të aktivitetit të saj në të cilin paraqitej një panoramë e punës së bërë në mbledhjen dhe analizimin e informacionit, bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, mbikëqyrjen e subjekteve të ligjit si dhe koordinimin e punës me autoritetet mbikëqyrëse dhe liçensuese.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka diktuar në vijimësi nevojën e ndërmarrjes së një sërë reformash legjislative ku ndër më kryesoret janë ratifikimet e Konventës së KiE "Për parandalimin e terrorizmit" dhe me Konventës së Varshavës "Për pastrimin, kërkimin, kapjen dhe konfiskimin e produkteve të krimit dhe të financimit të terrorizmit". Të dy këto konventa përmbajnë detyrime specifike që kanë të bëjnë me punën e DPPPP duke ndikuar njëkohësisht në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në kuadrin e forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe teknike një vënd të rëndësishëm në aktivitetin e drejtorisë kanë zënë projektet e poshtëshënuara të binjakëzimit me organet kompetente të një sërë vendesh të Bashkimit Europian:

-         “Lufta kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në Shqipëri”.Ky projekt është realizuar në vitet 2007 - 2009, në bashkëpunim me Zyrën Kriminale Federale Gjermane (BKA);

-         “Mbështetje për strukturat e luftës kundër pastrimit të parave dhe strukturat e hetimit të krimeve financiare në Shqipëri”. Projekt i realizuar në vitet 2011- 2013, në bashkëpunim me autoritetet Spanjolle, Italiane dhe Bullgare;

si dhe mbështetja logjistike me pajisje dhe programe kompjuterike bashkëkohore në sajë të mbështetjes bujare të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Në këtë kontekst një risi të veçantë përbënte krijimi në vitin 2008 i një Sektori të Teknologjisë së Informacionit.

Që prej krijimi të saj DPPPP, ka pasur gjithashtu një ndihmesë të konsiderueshme në nivel ndërkombëtar. Ne këtë kontekst një rol të veçantë deri në vitin 2007, kanë pasur ekspertët e Departamentit të Thesarit të SHBA të atashuar pranë DPPPP.   Asistenca e SHBA ka vijuar me tej në kuadrin e projektit OPDAT të Departamentit të Drejtësisë, në kuadrin e krijimit dhe funksionimit të Njësive të Përbashkëta të Hetimit të Krimit Ekonomik e Korrupsionit si dhe projektit ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin në Hetimet Penale) i Departamentit të Shtetit.

Në vijim të thellimit të mëtejshëm të reformës legjislative dhe rekomandimeve të Komitetit Moneyval të Këshillit të Europës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në muajin Maj të vitit 2008 Ligjit nr. 9917 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili ka qënë subjekt i amendimeve të mëtejshme në vitet 2011 dhe 2012.

Një hop cilësor për punën e DPPPP dhe institucioneve shtetërore përbën dhe hartimi në vitet 2008 - 2009 i Dokumentit Strategjik Kombëtar “Për hetimin e krimit financiar”, si i pari dokument i këtij lloji i cili pëcakton për periudhën 2009 – 2015 objektiva afat-mesme dhe afat-gjata në drejtim të goditjes e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. DPPPP ka luajtur rolin drejtues dhe koordinues, në përgatitjen e këtij dokumenti, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1077, datë 27.10.2010.

Në kuadrin e informimit të Kuvendit të Shqipërisë DPPPP, ka paraqitur në muajin Nëntor të vitit 2009, raportin e aktivitetit të saj para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ky aktivitet i shërben njohjes së mëtejshme të anëtarëve të kuvendit dhe publikut të gjërë, me punën e bërë nga DPPPP në funksion të përmbushjes së rolit të saj parandalues. Raportime të tilla kanë vijuar rregullisht dhe në vitet 2014 – 2015.

Në muajin Nëntor të vitit 2010, një mision vlerësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar vizitoi vëndin tonë në kuadrin e monitorimit të zbatimit nga autoritetet Shqiptare të rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terorrizmit. DPPPP ka pasur një rol të rëndësishëm koordinues në drejtim të realizimit në kohë dhe me efektivitet të këtij procesi i cili është përmbyllur me miratimin në muajin prill të vitit 2011, nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Europës të raportit të raundit të IV të vlerësimit të Shqipërisë.

Në muajin Tetor të vitit 2012, DPPPP në funksion të zbatimit të objektivave të Dokumentit Strategjik Kombëtar “Për hetimin e krimit financiar” i paraqiti Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dokumentin “Për vlerësimin kombëtar të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Përpos kontributit të saj direkt në hartimin e këetij dokumenti DPPPP ka pasur një rol të rëndësishëm koordinues me të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin e dokumentit strategjik.

Muaji Prill i vitit 2013, shënon përfundimin e projektit të BE “Mbështetje për strukturat e luftës kundër pastrimit të parave dhe strukturat e hetimit të krimeve financiare në Shqipëri”, në të cilin DPPPP ishte një nga institucionet përfituese. Qëllimi i këtij projekti ishte rritja e mëtejshme e kapaciteteve njerëzore të   institucioneve Shqiptare të përfshira në parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terorrizmit në vëndin tonë.

Në cilesinë e vëndit anëtar të Grupit Egmont të NjIF, drejtues të DPPPP kanë marrë pjesë në seancën plenare të këtij grupi të mbajtur në muajin Korrik të vitit 2013. Grupi Egmont luan një rol gjithnjë në rritje në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar mes NjIF, shkëmbimin e shpejtë dhe të sigurtë të informacionit, forcimit të kapaciteteve njërëzore dhe teknike dhe zbatimit efektiv të rekomandimeve të FATF.DPPPP ka vijuar në vitet 2014 dhe 2015 pjesemarrjen aktive në seancat plenare të këtij grupi të zhvilluara në vitet 2014 dhe 2015.

Në kuadrin e bashkëpunimit rajonal DPPPP ka organizuar për herë të parë në muajin Tetor të vitit 2013, konferencën rajonale të drejtuesve të NjIF. Në këtë konferencë merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të NjIF të Bosnje- Hercegovinës, Greqisë, Kroacisë, Kosovës, Italisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë. Konferenca të tilla zhvillohen në baza vjetore dhe ndikojnë në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të eksperiencës dhe tendencat/tipologjitë e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me të cilat përballen vëndet e rajonit tonë.

Në funksion të zbatimit të rekomandimeve ndërkombëtare për parandalimin e financimit të terrorizmit dhe amendimit që duhet ti bëheshin për këtë qëllim ligjit nr.9258/2004 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, DPPPP ka drejtuar grupin e punës të ngritur për këtë qëllim në vitin 2012, në përbërjen e së cilit kishte ekspertë të Bankës së Shqipërise, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brëndshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Financave. Bazuar në projekt-ligjin e hartuar nga grupi i punës, Kuvëndi i Shqipërisë miratoi në muajin Tetor të vititi 2013, ligjin nr.157 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.

Në muajin Shkurt të vitit 2014, Kryeministri i vëndit miratoi strukturër e re të DPPPP, sipas së cilës drejtoria ri-organizohet duke pasur në përbërje të saj Drejtorinë Juridike dhe Marrëdhënive me Jashtë, Drejtorinë e Analizës Strategjike dhe Transaksioneve të Dyshimta dhe Drejtorinë e Analizës së Përputhshmërisë dhe Teknologjisë së Infomacionit.

Në muajin Tetor të vitit 2014, zhvillohet nën kryesimin e Kryeministrit të vëndit, takimi i KBLKPP. Në këtë takim merrnin pjesë Ministri i Financave, Ministri i Jashtëm, Ministri i Punëve të Brendshme, Zëvendës Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Zëvendës Ministri i Ministrisë së Drejtësisë.Prokurori i Përgjithshëm, Zv/Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP.

Në këtë takim Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP raportoi mbi zhvillimet dhe veprimtaritë kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), duke demonstruar ecurinë në rritje të punës së institucionit në përmjet të dhënave statistikore të shumave të bllokuara e sekuestruara, të rasteve të dsyhuara për pastrimin e produkteve të veprave penale dhe financimit të terrorizmit të dërguara në organet kompetente në vënd, bashkëpunimin ndërkombëtar më NJIF partnere dhe mbikëqyrjen e subjekteve të ligjit.Në këtë mbledhje u miratua edhe Rregullorja “Për funksionimin e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave”.

Në përmbushjen e misionit të saj, DPPPP ka sfida të rëndësishme përpara për rritjen e frymës së mirëbesimit dhe bashkëpunimit me subjektet raportuese, intensifikimin e bashkërendimit dhe bashkëveprimit me policinë, prokurorinë, shërbimet informative dhe Njësitë Homologe, në funksion të ndërmarrjes së analizave operacionale, taktike dhe strategjike.

Në vijim paraqiten objektivat kryesore të punës së DPPPP për vitin 2015

-         Konsolidimi i mëtejshëm i rrolit mbikëqyrës të DPPPP;

-         Forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe informimi i KBLKPP;

-         Rritja e kapaciteteve parandaluese të orientuara në qasjen mbi bazën e riskut;

-         Rritja e mëtejshme e kapaciteteve njerëzore dhe përdorimi efektiv i burime buxhetore dhe teknike;

-         Përmirësimi i vazhdueshëm i nivelit të përputhshmërisë së DPPPP me rekomandimet e organizmave ndërkombëtar;

Kontribut në rritje në kuadrin e bashkëpunimit më NjIF rajonale;