Njësia e Inteligjencës Financiare Shqiptare

Pas botimit nga FATF(Financial Action Task Force) të 40 rekomandimeve, sipas të cilave institucionet financiare duhet të raportonin aktivitetet dhe transaksionet e dyshimta, në Gusht të vitit 2001, në Shqipëri u krijua Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave(DBLKP), e ndërtuar sipas modelit të Njësisë së Inteligjencës Financiare (NIF) të tipit administrativ.
Me përmirësimet që ju bënë ligjit të parandalimit të pastrimit të parave, kjo strukture që nga 1 Gushti i vitit 2005 organizohet në një nivel më të lartë si Drejtori e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), me buxhet të veçantë, i cili do të ndikojë në përdorimin më efektiv dhe konfidencial të të dhënave që i dërgohen kësaj njësie. Kjo njësi njihet në termat dhe standartet ndërkombëtare si Njësi e Intelegjencës Financiare (NIF)(Financial Intelligence Unit - FIU).
Njësia e Intelegjencës Financiare, si Agjensi Qëndrore Kombëtare, ka përgjegjësinë për të marrë, kërkuar, analizuar dhe shpërndarë autoriteteve kompetente, zbulimin ose ekspozenë e informacioneve finaciare lidhur me:
a. të ardhurat që dyshohen të kenë origjinë kriminale;
b. kërkesat e rregullatorëve dhe ligjvënësve vendas në mënyrë që të luftohet pastrimi i parave dhe krimi financiar.

NIF u krijua si organ ndërlidhës midis institucioneve financiare; komunitetit të biznesit dhe autoritetet e zbatimit të ligjit; si dhe për të drejtuar e koordinuar luftën kundër pastrimit të parave, në bazë të detyrimit të subjekteve të interesit dhe institucioneve financiare, për të identifikuar klientin, regjistruar e ruajtuar të dhënat, raportuar transaskionet e dyshimta (RAD) dhe ato në kufirin e vlerës mbi 20 milion lekë (RTV). Këto institucione kanë ngritur struktrurat e tyre me persona përgjegjës në këtë drejtim dhe kanë krijuar qëndrën e të dhënave.
Për të përmbushur qëllimin e punës së saj, NIF strukturon mbledhjen e informacionit që përdoret për të identifikuar pastrimin e parave/financimin e terrorizmit dhe aktivitetin kriminal. Veç subjekteve të përcaktuar në ligj, NIF mbledh të dhëna dhe nga burime të tjera siç janë autoritetet e zbatimit të ligjit (policia, hetuesia, prokuroria); autoritete të tjera rregullatore (doganat, tatim taksat, bankat ) dhe çdo njësi tjëter që mund të jetë burim i dobishëm informacioni financiar. NIF gjithashtu koordinon punën për regjistrimin, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave autoriteteve kompetente.
Ky rol luhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, NIF Shqiptar, anëtare e Grupit EGMONT, një forum ndërkombëtar për të realizuar bashkëpunimin në zonat e shkëmbimit të informacionit, trajnimit dhe të ndarjes së eksperiencës.
NIF ka për qëllim jo vetëm luftën dhe parandalimin e fenomenit të pastrimit të parave, por dhe zbulimin dhe luftën ndaj financimeve të mundshme të aktiviteteve terroriste, të dyja këto si në aspektin kombëtar, dhe në atë ndërkombëtar. Në Shqipëri kjo përpjekje është mbështetur nga ligji për masat kundër financimit të terrorizmit i miratuar në vitin 2004. Me riorganizimin e NIF është shtuar dhe kompetenca e kësaj njësie në inspektime, duke zgjeruar përgjegjësinë e kësaj strukture për sa i përket identifikimit të subjekteve raportuese dhe realizimit të raportimit të transaksioneve të dyshimta sipas kërkesave të ligjit.
Objektivat e NIF në këtë drejtim janë përqëndrimi i vëmëndjes tek subjektet raportuese, të cilat duhet të nisin të dorëzojnë Raporte të Transaksioneve të Vlerave mbi 20 milione lek(RTV) dhe Raporte të Aktiviteteve të Dyshimta (RAD).
NIF Shqiptar është krijuar përpara pesë vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, është zgjeruar dhe është shndërruar nga një agjenci e vogël brënda Ministrisë së Financave në një drejtori me prezencë ndërkombëtare. Për më tepër, është bërë një pjesë integrale e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Një njësi e tillë mbledh informacionin financiar vendas dhe të huaj në mënyre që të ndihmojë në ekzaminimin e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe aktiviteteve të tjera kriminale brënda kufijve të saj. Ky informacion financiar mblidhet kryesisht nga raportet e detyrueshme të transaksioneve të cilat parashtrohen nga institucionet financiare.
Viti fiskal 2005 solli si arritje ashtu edhe sfida për NIF. Nga njëra anë, u ndërmorren një sërë masash në lidhje me pastrimin e parave dhe me transaksionet e financimit të terrorizmit. Përveç kësaj, qëllimi i aktivitetit të NIF u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme nëpërmjet nënshkrimit të një numri memorandumesh bashkëpunimi me njësitë homologe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, misioni i NIF vazhdon të vështirësohet për shkak të mungesës së një baze kompjuterike të dhënash për kërkimin dhe analizimin e raporteve të transaksionit. Veprimi në një ekonomi të madhe ''cash'', si dhe rritja e numrit dhe e llojeve të subjekteve raportuese paraqesin probleme të mëtejshme përputhshmërie. Dhe, megjithëse është një organizatë në zhvillim, NIF ka nevojë për një plan strategjik afat gjatë dhe avant-garde.