DATAT KRYESORE

- Në Maj të vitit 2000, Parlamenti Shqiptar, pas kërkesave të ripërsëritura të Këshillit të Europës dhe të Komitetit MONEYVAL, miraton Ligjin nr. 8610 datë 17.05.2000 "Për parandalimin e pastrimit të parave";

- Në Gusht të vitit 2001, krijohet për herë të parë Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave;

- Në Qershor të vitit 2003, Parlamenti Shqiptar, në zbatim të kërkesave të raportit të vlerësimit të dytë të Shqipërisë, nga Komiteti MONEYVAL, bënë disa ndryshime të rëndësishme të ligjit "Për Parandalimin e Pastrimit të Parave", nëpërmjet miratimit të Ligjit nr. 9084 datë 19.06.2003 "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin 8610, datë 17.05.2000 "Për parandalimin e pastrimit të parave";

- Në Korrik të vitit 2003, Njësia e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë bëhet anëtare me të drejta të plota në grupin EGMONT, gjatë sesionit plenar të mbajtur në Australi;

- Në Korrik të vitit 2004, Parlamenti Shqiptar miratoi Ligjin nr. 9258 "Për masat kundër financimit të terrorizmit";

- Në Gusht të vitit 2005, Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ngrihet në nivelin e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave;

- Në Mars të vitit 2006, u publikua raporti i parë vjetor i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;

- Në Gusht të vitit 2006, KBLKPP-ja miraton Programin Kombëtar të Kontrollit të Lëvizjes së Parasë në dorë në territorin e Republikës së Shqipërisë;

- Në Nëntor të vitit 2006, miratohen Ligjet nr. 9641, datë 20.11.2006, "Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës "Për Parandalimin e Terrorizmit" dhe nr. 9646, datë 27.11.2006 "Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës "Për Pastrimin, Kërkimin, Kapjen dhe Konfiskimin e Produkteve të Krimit dhe të Financimit të Terrorizmit";

- Në Janar të vitit 2008, me Urdhër të Kryeministrit të Shqipërisë, miratohet struktura e re e DPPPP-së, në të cilën krijohet për herë të parë Sektori i Teknologjisë së Informacionit;

- Në Maj të vitit 2008, Parlamenti Shqiptar miraton Ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008, "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit'', i cili hyri në fuqi në shtator të po atij viti;

- Në Shtator të vitit 2009, përfundon projekti i binjakëzimit "Lufta kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar", në bashkëpunim me Zyrën Kriminale Federale Gjermane;

- Në Tetor të vitit 2009, me Vendimin nr. 1077, datë 27.10.2009, të Këshillit të Ministrave, miratohet Dokumenti Strategjik Kombëtar "Për hetimin e krimit financiar", në hartimin e të cilit DPPPP kishte rol drejtues;

- Në Nëntor të vitit 2009, DPPPP prezanton para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare punën dyvjeçare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;

- Në Nëntor 2010 u zhvillua vizita në vend e Misionit të 4-t Vlerësues të FMN-së, për masat e marra nga Shqipëria në fushën e parandalimit e goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;

- Në Mars 2011 filloi projekti i dytë i binjakëzimit i financuar nga BE "Mbështetje për strukturat e luftës kundër pastrimit të parave dhe strukturat e hetimit të krimeve financiare në Shqipëri";

- Në Mars 2011, Parlamenti Shqiptar, bën disa ndryshime të ligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit", nëpërmjet miratimit të Ligjit nr. 10391 datë 03.03.2011;

- Në Prill 2011, Komiteti MONEYVAL i KiE miraton raportin e raundit të 4-t për Shqipërinë ku pasqyrohet vlerësimi në rritje për Rekomandimin 26 të FATF dhe që lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e DPPPP si Njësi e Inteligjencës Financiare;

- Në Shkurt 2012 përfundoi vlerësimi i riskut mbi ekspozimin e sektorit jo fitimprurës në Shqipëri ndaj financimit të terrorizmit, në përputhje me rekomandimin special VIII të FATF;

- Në Maj 2012, në zbatim të rekomandimeve të Komitetit MONEYVAL për rritjen e pavarësisë operacionale të Njësisë së Inteligjencës Financiare, të transpozuar në legjislacionin vendas, Ministri i Financave bëri emërimin për një mandat 4-vjeçar të Drejtorit të Përgjithshëm të DPPPP;

- Në Qershor 2012 u ndryshua sërisht Ligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917 datë 19.05.2008 " Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit" nëpërmjet miratimit të Ligjit nr. 66/2012 datë 07.06.2012;

- Në Tetor 2012 u përfundua dhe iu paraqit Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dokumenti për Vlerësimin Kombëtar të Riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.