Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave

Bazuar në urdhërin nr.93 dt.21.02.2014, të Kryeministrit “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, DPPPP përbëhet nga Drejtoria Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Analizës Strategjike dhe Transaksioneve të Dyshimta dhe Drejtoria e Analizës së Përputhshmërisë dhe Teknologjisë së Informacionit. Ndryshimi i strukturës nuk është shoqëruar me rritje të stafit prej 28 nëpunësish, sipas strukturës së mëparshme të drejtorisë.

Ndryshimet strukturore synojnë që të sigurojnë një zbatim efektiv të detyrimeve që DPPPP ka në përmbushjen e objektivave strategjik të qeverisë Shqiptare si dhe rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Në kuadrin e analizimit të informacionit orientimi i DPPPP përveç analizës operacionale do të përqëndrohet dhe në analizën taktike dhe strategjike të informacionit. Në këtë kontekst një rëndësi të veçantë ka vlerësimi i riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në shkallë vendi, cili përbën një dokument të rëndësishëm për vendimmarrjen në nivel politik dhe teknik.

Përputhshmëria e subjekteve të ligjit nr.9917 dt.19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” si dhe konsolidimi i mëtejshëm i ruajtjes së administrimit të informacionit përbëjnë gjithashtu një nga drejtimet kryesore të punës së DPPPP për realizimin e të cilit do të vijojë mbështetja në përvojën e krijuar për këtë qëllim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Harmonizimi i legjislacionit me Acquis Communautaire dhe konsolidimi i bashkëpunimit me njësitë partnere të inteligjencës financiare do të vijojnë të jenë premisa bazë për të siguruar përmbushjen nga DPPPP të detyrimeve në mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit tek autoritetet kompetente.


strukturaAL