FIU Noteret

Më datë 27 Tetor 2016, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe noterëve të Dhomës së Noterisë Tiranë me temë “Roli i noterëve në sistemin parandalues për PP/FT, problematika dhe diskutime”.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin Z. Alket Hyseni Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Znj. Mimoza Sadushi Presidente e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Z. Fatmir Laçej Zv./ President i Dhomës Kombëtare të Noterisë, Z. Arlind Arapi nga Drejtoria e Inspektimit të Institucioneve të Varësisë dhe Profesioneve të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, Z. Agim Ismaili Drejtor i Drejtorisë së Analizës Strategjike dhe Transaksioneve të Dyshimta dhe Z. Dritan Vakaj Përgjegjës i Sektorit të Analizës së Përputhshmërisë në DPPPP, si dhe drejtues e noter të Dhomës së Noterisë Tiranë.

Gjatë fjalës së mbajtur Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP u shpreh: “Jam sot këtu për të konfirmuar vullnetin për bashkëpunim me Ju e mirëkuptim për çdo vështirësi që mund të hasni, por edhe për të shprehur vendosmërinë për të mbajtur qëndrim ndaj çdo rasti kur noterët me vetëdije anashkalojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore për raportim në DPPPP”.

Nga ana e Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë u vlerësua fryma bashkëpunuese e DPPPP dhe asistenca e vazhdueshme, por nga ana tjetër u nënvizua se duhen akoma më shumë përpjekje nga ana e noterëve në përmbushje të detyrimeve ligjore.

Përfaqësues të DPPPP paraqitën në mënyre grafike por edhe me shembuj konkret situatën për sa i përket përmbushjes së detyrimeve nga subjektet noter, ku theksohet se:

-          Numri i raportimeve të RAD nga subjektet noter mbetet i ulët dhe në disa raste vërehen tendenca në rënie;

-          Nga analizat e kryera për rastet e dyshuara për pastrim parash të dërguara nga DPPPP në institucionet ligj zbatuese, në pjesë të madhe të tyre, të dyshuarit kanë kryer transaksione nëpërmjet noterëve;

-          Janë evidentuar raste që nuk raportohen transaksionet e vlerave, ndërkohë që detyrimi për raportim të transaksioneve të vlerave është minimumi i përmbushjes së detyrimeve sipas ligjit!

Pjesëmarrja e gjerë dhe aktive e këtyre subjekteve evidentoi interesimin për çështjen e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit dhe pritshmërinë se noterët do rrisin raportimet e rasteve të dyshimta në DPPPP.