FIU AAB

 
Në datë 14.06.2017 DPPPP në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave organizoi një takim me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë. Në takim morën pjesë Z.Arlind GJOKUTA – Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP-së, Z.Spiro Brumbulli -Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së, përgjegjësit e përputhshmërisë të të gjitha bankave anëtare të AAB-së, anëtarë të Kryesisë së Komitetit të Pagesave të AAB-se dhe përfaqësues të tjerë të DPPPP-së.

Në këtë takim u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit si një element kyç për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nëpërmjet vendosjes së një praktike për organizimin e takimeve periodike në të cilat mund të diskutohet rreth zhvillimeve më të fundit apo dhe problematika të ndeshura nga palët.

Në vijim Z. GJOKUTA shprehu vlerësimet për progresin e arritur deri më tani por edhe të përpjekjeve për ta përmirësuar më tej atë. Ndër të tjera në këtë takim u diskutua edhe në lidhje me projektligjin e DPPPP-së, rritjen e vëmendjes ndaj transaksioneve cash në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe për transaksionet e dyshimta të lidhura me partitë politike, procesin e vlerësimit të Komitetit MONEYVAL, etj.