Në datat 20-21 Tetor 2014 u zhvillua në Podgoricë të Mali të Zi, konferenca e VIII rajonale e drejtuesve të Njësive të Inteligjencës Financiare(NjIF) të Bosnjë-Hercegovinës Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi Sllovenisë, Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo konferencë u mundësua në sajë të bashkëpunimit të ngushtë me prezencën e OSBE në Malin e Zi.

Çështjet kryesore të cilat u diskutuan në këtë konferencë kishin të bënin me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në rajonin tonë, rritjen e shkëmbimit të informacionit mes NjIF, tipologjitë e reja në fushën e përdorimit të parasë elektronike dhe risqet që shoqërohen me këtë fenomen, zbatimi i rekomandimeve të FATF, me theks të veçantë në vlerësimin e riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, bashkëpunimi reciprok në kuadrin e vlerësimit të vendeve nga organizmat ndërkombëtare, marrëdhëniet e biznesit me Personat e Ekspozuar Politikisht dhe vigjilenca e zgjeruar në monitorimin e transaksioneve të anëtarëve të familjes dhe personave të lidhur me ta.