Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) edhe gjatë vitit 2014 ka vijuar aktivitetet trajnuese dhe sensibilizuese të subjekteve për përmbushjen e detyrimeve sipas Ligjit Nr. 9917 datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, duke vënë theksin në këtë drejtim ndaj subjekteve të cilat kanë nivel të pamjaftueshëm të përmbushjes së detyrimeve për raportim të aktiviteteve të dyshimta.

Në këtë kuader me datën 14 Janar 2014 në bashkëpunim me Dhomën e Noterisë Fier, u zhvillua në në këtë qytet, një trajnim me temë Sistemi i parandalimit të pastrimit të parave dhe roli i subjekteve noter në luftën ndaj këtij fenomeni”.

Në këtë aktivitet morën pjesë 43 noterë nga qytetet e Vlorës, Fierit, Lushnjës, Mallakastër, Skrapar dhe Kuçovë, kurse DPPPP u përfaqësua nga Z. Dritan Vakaj – Përgjegjës i Sektorit të Inspektimit dhe Z. Pavli Gjika – Inspektor. Gjatë këtij seminari u paraqiten para të pranishmëve detyrimet ligjore dhe me shembuj praktikë, përmes të cilëve u bë një përshkrim i qartë i detyrimeve që lidhen me ushtrimin e “Vigjilencës së duhur”, “Vigjilencës së zgjeruar”, “Procedura njih klinetin tënd” dhe kryesisht detyrimi për raportimin e transaksioneve të dyshimta, të cilat paraqesin anomali, janë në vlera të mëdha, të pazakonta apo të pajustifikuara nga pikëpamja ekonomike.

Gjithashtu, u orientuan subjektet që të konsultohen vazhdimisht me faqen zyrtar të DPPPP në të cilen janë të afishuara prej kohësh anomali, tregues e tipologji të pastrimit të parave (të cilat përditësohen në vijimësi).

Pjesëmarrja e gjërë dhe aktive e këtyre subjekteve evidentoi interesimin për çështjen e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit dhe pritshmërinë se edhe noterët do të fillojnë të raportojnë RAD.