Seminar trajnues me Noterët e Dhomës Rajonale Shkodër.
Në funksion të përmbushjes së detyrimeve ligjore që ka Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), konkretisht nenit 22/i të Ligjit nr. 9917 datë 19.05.2008 “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit” i ndryshuar, në bashkëpunim me Dhomën e Noterisë Shkodër, më dt. 04.04.2014, në ambientet e Gjykatës së Rrethit Shkodër, u organizua një trajnim me 22 noter nga kjo dhomë. DPPPP u përfaqësua në këtë takim nga Z. Agim Ismaili (Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Legjislacionit) dhe Z. Artan Shiqerukaj (Përgjegjës i Sektorit të Legjislacionit).



Temat kryesore që u diskutuan në trajnim janë:

-          Përmbushja e detyrimeve për raportim të parashikuara në nenin 12, masat e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar (nenet 4, 4/1, 9 dhe 9/1) dhe problematikat e hasura në vijimësi lidhur me këto detyrime;

-          Masat që duhet të merren në kuadër të parandalimit të financimit të terrorizmit, monitorimit të transaksioneve me persona të ekspozuar politikisht (PEP) etj;

-          Tipologji të ndryshme të rasteve të dyshimta në cilat roli i noterëve ka qenë i pazëvendësueshëm;

-          Llojet e shkeljeve administrative të konstatuara nga DPPPP tek noterët dhe masat që duhet të merren për përmirësimet e duhura ;

-          Shkëmbim eksperiencash për fushat përkatëse dhe diskutim problematikash konkrete që mund të zgjidhen.





Në tërësi mbarëvajtja e takimit ishte shumë e mirë dhe për këtë vlerësojmë veçanërisht impenjimin e kryetarit të dhomës Klement Radovani dhe Z. Vasil Martini.



Në vijimësi DPPPP ka treguar kujdesin e duhur për sensibilizimin dhe inspektimin e kësaj kategorie subjektesh, roli i të cilave në parandalimin e pastrimit të parave është i pazëvendësueshëm.



Seminar trajnues me agjentë të shoqërisë të transfertave të Unionit Financiar Tiranë.

Në funksion të përmbushjes së detyrimeve ligjore që ka Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), konkretisht nenit 22/i të Ligjit nr. 9917 datë 19.05.2008 "Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit" i ndryshuar, më dt. 09.05.2014 tre përfaqësues të DPPPP (Z. Agim Ismaili - Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Legjislacionit; Z. Artan Shiqerukaj – Përgjegjës i Sektorit të Analizës Strategjike dhe Marrëdhënieve me Jashtë; Znj. Madalena Ndoci) dhe një përfaqësuese nga Banka e Shqipërisë (Zj. Mirjana Goxharaj – Përgjegjëse e Zyrës së Përputhshmërisë, PPP/Transparencës) morën pjesë në trajnimin e organizuar nga shoqëria Unioni Financiar Tiranë, në ambientet e saj për agjentët që kanë volumin më të lartë të transfertave (50), të cilët kryejnë edhe këmbim valutor.

Në ketë seminar trajnues, nga përfaqësuesit e qendrës së UF Tiranë, u trajtuan çështje mbi PPP/FT të tilla si: njohja me bazën ligjore dhe ndryshimet e saj; zbatimi i tyre në shërbimin e transfertave; organizimi dhe roli që luan struktura përgjegjëse e kompanisë për PPP/FT; rëndësia e shtimit të vëmendjes ndaj zbatimit të vigjilencës së duhur, vigjilencës së zgjeruar dhe cilësisë së informacionit të mbledhur nga klienti; domosdoshmëria e shtimit të numrit të sinjalizimeve nga agjentët si një element kryesor në përmirësimin e raportimeve të transaksioneve të dyshimta dhe analizimin e tyre; roli i trajnimeve për ndërgjegjësimin e operatorëve dhe kryerja e monitorimit të vazhdueshëm të klientëve në agjenci për të evidentuar riskun potencial të tyre; procedurat e ndjekura nga kompania për analizimin dhe vlerësimin e rrezikut; masat kundër terrorizmit përmes zbatimit të praktikës së kompanisë Western Union; si dhe prezantimi i disa tipologjive të transfertave të dyshimta në shërbimin e transfertave.

Nga përfaqësuesit e DPPP ju dha rëndësi e veçantë trajtimit të problemeve që mund të lindin drejtpërdrejte me agjencitë që kryejnë transferta, ndërgjegjësimin e tyre për zbatimin e ligjit duke ju referuar edhe masave penalizuese si kundravajtje administrative apo edhe të karakterit penal, diskutim për tipologji e të ndryshme etj.

Në tërësi mbarëvajtja dhe organizimi i seminarit ishte shumë e mirë dhe për këtë vlerësojmë shoqërinë UF Tiranë dhe veçanërisht përfaqësuesit e saj Z. Elton Çollaku dhe Z.Saimir Fejzo.