Në datën 02.07.2014, nën drejtimin e Z. Genti Gazheli - Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP, u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Financave takimi i radhes i grupit teknik ndërinstitucional të punës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në takim merrnin pjesë ekspertë të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Financave, Ministrise se Brendshme, Bankës së Shqipërisë, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ILDKP.
Në fjalën e tij z, Gazheli informoi ekspertët në lidhje me takimin e ICRG në Paris, në të cilin mori pjesë së bashku me Zv. Kryeministrin e Shqipërisë Z. Niko Peleshi. Kjo ishte hera e parë që vendi yne përfaqesohet në nivel kaq të lartë, gjë që është një tregues i qartë i angazhimit të qeverisë për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në përmbushje të standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu u informuan pjesëmarrësit se Z. Peleshi në fjalën e tij shprehu angazhimin e qeverisë për të bërë amendimet e duhura të kodit të Procedurës Penale brenda muajit Tetor të këtij viti;

Sic është diskutuar në takimin e muajit prill, autoritetet Shqiptare do t'i dorëzojnë së shpejti Komitetit Moneyval të Këshillit të Europes raportin e progresit të bërë në përmbushjen e rekomandimeve të bëra në raundin e katërt të vlerësimit të vendit në vitin 2010. Në këtë kontekst vlen të theksohet nevoja e një angazhimi maksimal në vijimësi nga të gjitha institucionet e përfshira, në menyrë që pjesa e masave të marra dhe të dhënat statistikore të pasqyrohen sa më qarte në raportet që përgatiten dhe dërgohen për këtë qëllim. Vlen gjithashtu të nënvizohet nevoja e përcaktimit në nivel institucional të ekspertëve që ndjekin cështjet që kanë të bëjnë me raportimin mbi zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në kuadrin e vlerësimit të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit DPPPP ka kërkuar kontributin e të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces të rëndësishem në zbatimin e rekomandimit 1 të FATF. Vlen të theksohet se në nivel ndërkombëtar ka një angazhim te ndjeshëm në përmbushjen e këtij procesi, i cili i mundëson autoriteteve shtetërore dhe aktoreve privatë që të njihen me risqet me të cilat përballet vendi, si dhe të përdorin burimet e tyre njerëzore, financiare dhe teknike për t'ju paraprire atyre në mënyrë sa më efektive.

Gjithashtu në takim u diskutua për cështjen e vakuumit ligjor në fushën e sanksioneve ndërkombëtare si një cështje të ciles I duhet dhënë sa më shpejt një zgjidhje institucionale.