Me datë 21.11.2014 me iniciativë të Prokurorit të Përgjithshëm dhe me mbështetjen e Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Financave u zhvillua takim ndërinstitucional me temë ‘forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës’.

Në këtë takim, morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri; Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Artan Didi; Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Visho Ajazi Lika; Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Gent Gazheli; Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, znj. Elisa Spiropali; Drejtori i Hetimit Tatimor, z. Ahmet Prençi; Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto; Kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, znj. Dallëndyshe Bici; Kryeadministratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, z. Arben Seferi, si edhe përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Në fjalën e mbajtur nga drejtuesit e institucioneve qendrore, u parashtrua ndër të tjera, si vijon:

-         Prokurori i Përgjithshëm, Z. Llalla, shprehu vlerësime për bashkëpunimin ndërinstitucional por evidentoi edhe nevojën e shtrirjes së tij që në fazat e para të investigimeve të rasteve,

-         Ministri i Brendshëm Z.Tahiri, evidentoi nevojën e amendimeve të Memorandumit të Bashkëpunimit, nënshkruar në vitin 2009, ndërsa

-         Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, vuri theksin sidomos rëndësinë e shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve për të forcuar hetimin proaktiv.

Në këtë takim , mori fjalën edhe Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP, Z.Gent Gazheli, i cili duke shprehur vlerësimet për organizimin e këtij takimi me tematikë kaq sesnsibël për çështjet e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, parashtroi se:

Vitin e fundit ka patur një reagim te dukshëm pozitiv nga Prokuroria e Përgjithshme, që konsiston veçanërisht në shfuqizimin e shumë vendimeve të pushimit të procedimeve penale, të ankimuara nga ana e DPPPP, fakt që evidenton se është e domosdoshme që hetimet të thellohen dhe rastet të dërgohen në gjykatë, si objektiv kryesor i gjithë institucioneve.

Në vijimësi, në korrespondenca por edhe takime ndër institucionale në nivele të ndryshme kemi sqaruar e kërkuar se:

-      Dihet që ka pak gjasa që një zyrtar apo ish zyrtar pavarësisht nga niveli, të injektojë drejtpërdrejtë apo nëpërmjet familjarëve fonde në vlera të larta e të pajustifikuara që mund ti kenë përfituar nga korrupsioni apo/dhe shpërdorimi i detyrës.

-      Pra është evidente se pasuria e çdo forme produkt i korrupsionit kryesisht vendoset në emër të personave të tretë (fizik apo juridik) por de facto gëzohet prej personave të korruptuar.

-      Për këtë qëllim është e domosdoshme që agjencitë që kanë shërbime drejtpërdrejtë në terren të grumbullojnë dhe evidentojnë këto indicie mbi bazë të të cilave secili institucion me punën vijuese do jepte vlerë të shtuar në trajtimin e tyre e për rrjedhojë do ngriheshin çështje më shumë dhe të suksesshme

Lufta kundër korrupsionit bazuar në episode të veçanta apo skandale që denoncohen nga media është padyshim detyrë por jo suksesi i kërkuar nga publiku dhe instancat ndërkombëtare.

Sfida e vërtetë e institucioneve është që nga ndjekja e gjurmimi i fondeve dhe pasurive të pajustifikuara të arrihet e të vërtetohet edhe korrupsioni e të dënohet secili që e ka kryer atë.