Në datën 10.02.2015, u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), takimi i Grupit Teknik Ndër-Institucional për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave  i cili funksionon në bazë të dispozitave të ligjit nr.9917 dt.19.05.2008  “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”  i ndryshuar.

Në këtë takim morën pjesë, ekspertë të Bankës së Shqipërisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, ILDKPI  dhe DPPPP.

Programi i takimit përfshinte çështjet që kanë të bëjnë me procesin e rishikimit të vlerësimit kombëtar të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri; ecurinë e monitorimit të vëndit tonë nga organizmat ndërkombëtar (FATF, Komiteti Moneyval i Këshillit të Europës); rritjen e kapaciteteve të institucioneve në funksion të zbatimit të  rekomandimeve ndërkombëtare të FATF dhe trajnimeve që do të organizohen për këtë qëllim; ndërmarrja nga organet kompetente (Polici, Prokurori) hetimeve financiare paralele për veprat penale prej të cilave sigurohen të ardhura të jashtëligjshme; rishikimi i manualeve dhe procedurave ekzistuese të hetimit financiar dhe përmirësimi i bazës ligjore në funksion të zbatimit efektiv të sanksioneve ndërkombëtare në fushën e financimit të terrorizmit.