Vendi ynë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtarë, në Tetor 2012 përfundoi dhe paraqiti në Komitetin e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP) dokumentin e parë për Vlerësimin Kombëtar të Riskut të pastrimit të parave (PP) dhe financimit të terrorizmit (FT).

Në vitin 2012, FATF miratoi 40 rekomandimet kundër PP/FT ndër të cilat Rekomandimi 1 “Vlerësimi kombëtar i riskut PP/FT”, përbën risinë më thelbësore sipas të cilit shtetet duhet të kryejnë vlerësime kombëtare risku dhe mbi bazë të konkluzioneve, të marrin masat e përshtatshme për zvogëlimin e efekteve që ata kanë në shkallë vendi.
Bazuar në këtë rekomandim dhe detyrimin ligjor[1], gjatë vitit 2015 është rishikuar dokumenti i vlerësimit të riskut PP/FT, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën e krijuar dhe praktikat më të reja në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Procesi është drejtuar dhe koordinuar nga DPPPP, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shërbimin Informativ të Shtetit, Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Prokurorinë e Përgjithshme si dhe subjektet e ligjit.

Kjo përfshirje ndërinstitucionale është e një rëndësie të veçantë për të identifikuar rreziqet e PP/FT me të cilat përballet Shqipëria.

Dokumenti i vlerësimit të riskut i është paraqitur sërish KBLKPP, të gjitha institucioneve relevante në vend, organeve mbikëqyrëse, subjekteve financiare bankare, shoqërive të transfertave e më tej konkluzionet e tij janë trajtuar edhe në takime ndërinstitucionale dhe trajnime.

Në këtë kontekst, konkluzionet e vlerësimit të riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri paraqiten si vijon:

1.Rreziku/kërcënimi kryesor i identifikuar është produkti kriminal i cili çmohet se buron kryesisht nga       trafikimi i lëndëve narkotike, krime në fushën doganore dhe tatimore (si kontrabanda, fshehja e të ardhurave, mashtrimi me TVSH) dhe korrupsioni, vepra këto që mendohet se dominojnë të ardhurat kriminale;

 2. Transporti i parasë fizike në hyrje/dalje nga pikat e kalimit të kufirit të Republikës së Shqipërisë, përbën risk në fushën e PP/FT pasi konkludohet se ndodh në masë të konsiderueshme, ndërkohë që deklarimet dhe ndëshkimet për këtë veprën penale të mos-deklarimit janë minimale;

3.Informaliteti në ekonomi dhe përdorimi në shkallë të gjerë i parasë fizike, vështirësojnë       detektimin dhe hetimin e PP/FT;

4.
Ndër vite, mbi bazë edhe të përafrimit me standardet ndërkombëtare dhe asistencës së vazhdueshme, është punuar për ngritjen e një sistemi parandalues sa më efektiv dhe aktualisht sistemi funksionon, pavarësisht se ka edhe sektorë që duhen rivlerësuar në thellësi për të garantuar vazhdimësinë e raportimeve dhe larminë e tyre.

5.
Nisur nga të dhënat e përfituara, rezulton se mundësia e detektimit të rasteve të dyshimta në nivel inteligjence është në nivel të mirë, mirëpo hetimi paraqet probleme të dukshme dhe kjo ndikon edhe në dërgimin e shumë pak rasteve në Gjykatë. Hetimi i rasteve të pastrimit të parave në mënyrë autonome (pra kur personi nuk e ka kryer veprën e origjinës) ngelet ende në nivele të ulëta. Në eficencën e hetimeve ndikon edhe fakti se për një pjesë të konsiderueshme të rasteve nevojitet ekzekutimi i letër porosive nga autoritete e huaja gjyqësore, ekzekutim ky që kryhet me shumë vonesë dhe që ndikon negativisht në hetim duke çuar në marrjen e vendimeve të pushimit apo pezullimit të procedimeve penale.

6.Konfiskimet në zbatim të legjislacionit penal për çështjet e pastrimit të parave janë në nivele minimale. Më tej edhe zbatimi i Ligjit       Nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” i ndryshuar është shumë larg pritshmërisë dhe mundësive që ky ligj jep në kuadër të konfiskimit të produkteve kriminale.

Në lidhje me masat kundër financimit të terrorizmit, janë ndërmarë hapa konkret dhe të vazhdueshëm dhe vlen të theksohet miratimi i Ligjit nr. 157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, masa këto që përmbushin rekomandimet dhe mangësitë e kosntatuara.

Për sa i përket riskut që paraqesin organizatat jo-fitim prurëse (OJF) në Shqipëri, në shkurt 2012 është kryer vlerësimi i riskut mbi ekspozimin e sektorit jo-fitimprurës ndaj financimit të terrorizmit, në përputhje me ish rekomadimin special VIII të FATF.

Mangësitë kryesore që u evidentuan në këtë vlerësim kishin të bënin me informatizimin e regjistrit të OJF dhe mbikëqyrjen e tyre.

Në funksion të mbikëqyrjes së këtij sektori janë bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat synojnë rritjen e transparencës përsa i përket transaksioneve që kryejnë OJF (duke sanksionuar se transaksionet duhet të kryhen me bankë në përputhje me procedurat tatimore në fuqi), evidentimin e strukturave drejtuese/menaxhuese, regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e OJF në vëndin tonë. DPT ka eksperiencën e duhur në fushën e kontrollit financiar dhe shtrirja territoriale mundëson një proces efektiv në këtë drejtim.

Në mënyrë të posaçme që nga viti 2012 e në vijim, DPPPP në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit dhe shërbimet informative, në kuadër të takimeve ndërinstitucionale apo trajnimeve,

-        i është kushtuar rëndësi e veçantë evidentimit të risqeve dhe masave që duhet të merren në kuadër të parandalimit të financimit të terrorizmit dhe hulumtimit të rasteve të dyshimta;

-        është diskutuar në vijimësi mbi të dhënat për listim të personave të shpallur sipas dispozitave të ligjit nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit

-        janë mbajtur takime të posaçme për të diskutuar për entitete të konsideruara me risk dhe është bashkëpunuar në lidhje me to;

-        për rastet kur është kërkuar apo ka qenë e nevojshme, bashkëpunimi ka qenë i menjëhershëm dhe i efektshëm;

në çdo trajnim janë shpjeguar me theks të veçante tipologji dhe masat që kërkohen të merren në zbatim të hulumtimit të rasteve të dyshimta për FT apo masat që duhet të merren për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare.

[1]Neni 22 gërma ‘ll’ e ligjit nr.9917 dt.19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.