Analizimi financiar dhe teknologjia e informacionit

Rëndësi e veçantë i është kushtuar analizës financiare të raporteve të mbërritura në DPP. Për këtë qëllim, në ndryshimet strukturore të propozuara është rritur numri i specialistëve në Sektorin e Analizës nga tre në pesë analistë. Krahas faktorit njerëzor, theksi i është vënë teknologjisë së informacionit, bazuar në faktin që si NjIF administrativ, disponojmë informacione e raporte të shumta në numër.

Duke qenë se nuk ka pasur fare programe për menaxhimin e rasteve, Sektori i Teknologjisë së Informacionit punoi intensivisht që me krijimin e tij dhe në korrik 2008, u konkludua ndërtimi dhe vënia në përdorim e programit të administrimit të praktikave (dosjeve investigative). Ky program informatizon dhe centralizon të gjithë informacionin që aktualisht ka në dispozicion DPP-ja dhe ndihmon analistët në konsultimin e shpejtë dhe nxjerrjen e konkluzioneve të sakta për rastet.

Disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në fushë e TI-së, që synojnë ta rendisin Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPP) në radhë me homologët e saj, kanë qenë:
• Instalimi dhe konfigurimi i pajisjeve hardware në kuadrin e Programit CARDS 2004, me fondet e Delegacionit të BE-së që është përfunduar me sukses. Ai përfshin ristrukturimin e rrjetit kompjuterik, vendosjen e centralit telefonik, si dhe vendosjen e sistemit të sigurisë. Ky sistem teknologjik bashkëkohor i mundëson DPP-së marrjen dhe analizimin e informacionit online të raportimeve nga bankat e nivelit të dytë apo subjekte të tjera raportuese të ligjit, duke përdorur kanale të sigurta informacioni. Lejon mundësinë e ruajtjes së këtij volumi raportimesh, analizimi dhe sjell fleksibilitet në përdorimin e programeve analitike në këtë mënyrë, rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së punës së DPP-së.

• Fillimi i raportimeve online. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008 "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit", DPP-ja është ndeshur me fenomenin e rritjes së numrit të raportimeve nga bankat e nivelit të dytë. Ky fenomen ka sjellë problemet e para me programin kompjuterik ekzistues dhe lindjen e nevojës urgjente për ndërtimin e modulit të raportimit online të informacionit. Si fazë pilot, ky modul është vendosur në dy banka dhe rezultati i deritanishëm ka qenë i suksesshëm, duke sjellë fleksibilitet dhe shpejtësi raportimi. Moduli i zhvilluar është konform Ligjit nr. 9917 dhe gjithashtu bazuar mbi sugjerimet e bankave të nivelit të dytë. Me vendosjen e këtij moduli besojmë se do të kryhet në një afat të shkurtër raportimi duke sjellë shpejtësi dhe fleksibilitet. Moduli i raportimit të informacionit për vitin 2008 është konkluduar me vendosjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare online.

• Ndërtimi i një programi të plotë analitik. Në kuadrin e Programit CARDS 2005, me fondet e Delegacionit të BE-së, është realizuar prokurimi i një programi analitik. Më 19 nëntor 2008 është bërë dhe hapja zyrtare e fillimit të punës për këtë program, i cili mendohet të zgjasë gjashtë muaj. Deri tani janë bërë testimet e para, ndërsa instalimi i versionit të parë të këtij programi do të jetë javët e para të janarit 2009.

Programi bazohet në katër pika kryesore:
• Sigurinë e informacionit, për të arritur parametreat e përcaktuar nga DSIK.
• Administrimin e çështjeve, në një nivel më të lartë se aktuali.
• Module vizive të Analizës së Informacionit, për të ndihmuar analistët.
• Mbledhja e informacionit (online nëpërmjet ndërfaqeve të sigurta me minimum 128 bit kodim, gjithashtu dhe offline). Kjo do të ulë kostot për subjektet raportuese dhe do mundësojë marrjen në kohë reale të raporteve për tu analizuar nga DPP- ja.
• Bashkëpunimi shumë i mirë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka sjellë përfitime për stafin e teknologjisë së informacionit në fushën e trajnimeve, duke rritur nivelin e profesionalizmit. AKSHI, gjithashtu, ka inkluduar Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në rrjetin GOV . NET, duke planifikuar që në vitin 2009 institucioni të jetë pjesë e këtij rrjeti kombëtar nëpërmjet fibrës optike.
• Ndryshime në rikonceptimin e faqes zyrtare të internetit, e cila mundëson rritjen e shkallës së informimit për subjektet e ligjit dhe për publikun në tërësi.